Sunday 2 February 2014

Disa anekdota të Zeqë Vërbanit dhe për Zeqë Vërbanin

Zeqë Vërbani qysh në fëmijëri kishte treguar prirje për shaka e humor. Por, edhe më vonë, gjatë tërë jetës, shakaja dhe humori do të jenë pjesë e jetës së tij. Bënte shaka e mahitej, jo vetëm në llogari të të tjerëve, por edhe në llogari të vetën, e madje edhe të pushtetarëve. Me mahitë dhe hokat e tij, Zeqa krijonte atmosferë të hareshme e të ngrohtë nëpër ndeja e tubime të ndryshme. Prandaj, edhe për këtë shkak dhe, jo vetëm për fjalët e tij me peshë, ishte i dashur dhe i mirëpritur nga shokët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Pikërisht për këtë në popull janë ruajtur edhe sot shumë anekdota të Zeqës apo për Zeqën, ndërsa ne po i prezentojmë ato që arritëm t'i vjelim nga goja e popullit.

FSHISA SI GUH' DHELPNE(1)

Një herë, në odën e haxhi Murat Halabakut në Pozharan, pasi që mysafirët hanë darkë mysafirët, një djalë i ri nisi t'i fshijë trohat e bukës nga jani e cerga me ni fshisë, të cilës nga përdorimi i gjatë i kishte metur gati vetëm bishti. Haxhia me zë të vogël e qorton djalin - pse nuk e ka gjetur një fshisë më të mirë. Këtë e dëgjojnë gati të gjithë, po nuk bëzanë. Mirëpo, Zeqë Vërbani, në mahi thotë:
- "Ket fshisë s'e paska kushi, koka si guh' dhelpne! Veç kjo munet me ja nxerr troshat kësaj cerge. Ruje e mos e hup!"
Pas këtyre fjalëve të Zeqë Vërbanit, ata që ishin në odë ja krisën gazit, e fshisës së harxhuar iu rrit vlera.

Tregoi: Jahi Halabaku, profesor nga Pozherani



S'JAM I VOGËL, PO JAM SA DETI...

Me ni darsëm, me pak vonesë mrrin Zeqë Vërbani me Ali Goshicën - Gashin. Dikush prej burrave i drejtohet Zeqë Vërbanit me za t'naltë, e ja ze n'gojë fisin: "Hajde, hajde Berisha i vogël!"
- S'jam i vogël, po jam sa deti, sa ta kam Gashin me veti!" - ja ktheu Zeqa, tuj i ra Aliut fort' shpinës, sa që e mërthen kolli.

Tregoi: Nezir H.Neziri (1912), bujk nga Goshica



CJAPIN, E JO DASHIN PËR KURBAN

Kishin shkue do vjet, e Zeqë Vërbanin ma nuk e kishin zgedh kryetar komune. Hyqmin e venit e kishin marr n'dorë kolonistat e Gërmovës. Zeqa ma shum sillej rreth shpisë, bile nisi me i ninue ramazanat ren. Ni herë, i biri - Metushi, dashti me ja pre ni dash për kurban, e aj i thot:
- Nuk duhet me pre kurban për njeri t'gjallë, se tue u sjell dashi rreth xhenetit, ban poterë e ja shtie nërmen Xhebrailit, me e thirrë edhe kta. Kur t'vjen vakti për kurban, un' do ta pres ni cap, e jo dash. Desht jan trullana, e kur i kap zhegu, e rrasin kryet me naj kaçubë, kurse capi asht pehlivan, e ma let kapërcen napër urën e xhehnemit, për me dalë n'xhenet.

Tregoi: Salih Sokoli, bujk 70-vjeçar nga Vërbani



MA MIRË A ME DEKË N'LUFTË, SE N'SHTRAT

Ni her me ni muhabet n'odë, ku ishin kanë Adem Tresteniku, Rexhë Kurdija e Zeqë Vërbani, e kishin pas zanë llafin e jetën e t'dekës, që s'ka pshtim prej saj. T'katërtit i kishin dhanë karar, se deka ma e mirë e ma e nershme për shiptari - a deka n'luftë. Zeqë Vërbani ju kish pas thanë shokve t'vet: "Vallha, s'ka gja ma keq se kur t'vinë miqt e dashamirt me t'pa me petlla e pula t'pjekne, e ty nuk t'i kana, po veç i kqyr si lopa viçin e coft! Ma s'miri a kur njeri shkon "çap e rrap", t'u ba muhabet, ja zatetet n'farë tollovie, e hallki pvesin t'habitun: - Shka u ba? - O, u vra Zeqë Vërbani! - Pra, unë kam qef me dekë çashtu, n'luftë a n'tollovi, e jo me u dergj kadal-kadal, n'shtrat - kish pas thanë Zeqë Vërbani.

Tregoi: Salih S.Sokoli, nga Vërbani



KUSH NUK KA PARE - EDHE MA SERBEZ(2)

Me ni darsëm t'madhe, kur shkojnë me marrë nusen n'Tanishec, qysh a kan' adet, e kishin qit' tepsin, e krushqit u dashke me lanë pare. Ata qi s'kishin pare u ngushtojshin. Zeqë Vërbani ju drejtue krushqve: "Kush ka pare le t'kapërcen serbez, e kush s'ka - edhe ma serbez!"
Dikush me za t'ungjt i thot se besa, ma shum' janë asi qi s'kan asni metelik.
- A e dini o burra se marre asht për neve qi hala qesim tepsi. Gjinja vin' n'darsëm për qef, e jo për denim. Kësi hovi po paguj un për krejt, po ma nuk a mirë me e qitë tepsinë! - kish pas' thanë Zeqë Vërbani, e vet i qet n'tepsi 100 banka, qi për at vakt ishin kanë t'mdhaja.

Tregoi: Liman Beqiri (1900), nga Tanisheci, tani jeton në Shkup



VETURA QI KCEJ SI ÇAPINI

Ndër familjet e rralla shqiptare në Jugosllavinë e Vjetër që kishin arritur të blenin veturë private, ishte edhe ajo e Ahmet Shtimës. Privilegj që të vozitej në të, një herë kishte pasur edhe Zeqë Vërbani me disa shokë. Mirëpo, nga pakujdesia e shoferit, në një kthesë vetura me të gjithë udhëtarët fluturon disa metra në një livadh, por për fat, nuk rrotulliset. Shumicën i kap frika e paniku, ndërkaq Zeqë Vërbani, pasi vëren se askush nuk është lënduar, krejtësisht gjakftohtë i drejtohet shoferit:
- Eu pirrolla t'koftë, se përnime tek je pehlivan; ke k'cy me dramë si çapini!

Tregoi: Sherafedin Hoxha, profesor nga Shtimja, jeton në Prishtinë.



SOKOLI I KA PUN'T MIRË SA T'I KENË PENLAT E TERNE

Zeqë Vërbani, si mysafir i Myftijve n'Shkup, kish pas hi fell n'Vardar, për m'u la, e gati ish kan tu' u mytë. Masanej kishin nisë me ba hajgare me Zeqën, qi s'kish pas ditë not, e Zeqa ja kish pas kthye përgjegjen:
- Sokoli (3) i ka pun't mirë sa t'i kenë penlat e terne, po si t'i lagen, aj maron!

Tregoi: Shukri Hoxha, arsimtar veteran nga Sllatina e Poshtme, jeton në Ferizaj



ZOGI GATI JA QITI PENLAT SOKOLIT

Niher, kur kish pas shkue m'u mjekue n'Bajën e Dibrës, Zeqë Vërbani ilegalisht e kish pas' kalue kufinin jugosllavo-shqiptar, e me nihmën e stërnipit t'vet, Hamdi Kurteshit, përpiqet me shkue te mbreti Zog për m'u ankue. Mirëpo, hyçmi i aqehit nuk e lejon. Tu nejtë me ni kafe, e kish pas hup uzdajen, e nisë m'u livdue n'hesap t'llagapit t'vet.
- Un jam Sokol, e ju e dini se Sokoli e kap zogun n'hava e ja qet penlat n'tokë - thotë Zeqë Vërbani.
Do gjin qi ishin kanë qillu' ngat e kishin pas nie si bende për mretin Zog. Kjo shpejt i shkon n'vesh edhe xhanarmerisë t'Shipnisë, e cila meniherë i vnohet n'hetim. Mirëpo, dikush meniherë e njofton Zeqë Vërbanin qi sa ma shpejt t'largohet prej atyhit, e menxi pshton, tue u mlue me hastra me ni kerr t'kive. Masanej, Zeqë Vërbani kët vaki kështu e komentonte:
- Besa, kësihovi Zogu gati ja pat qitë penlat Sokolit.(4)



KULLASHI I ZEQË VËRBANIT N’BESË T’DAUT KOMOGLLAVËS

Sa ka qenë Zeqë Vërbani i njoftun n’popull, gati aq a kanë i njoftun kali i tina – Kullashi. Edhe pse me trup a kanë i vogël, a kanë kali shum i meçum, trim e shumë i shpejtë. Thonë se shumë herë e kish pas pshtue zotnin e vet nga rreziqet.

Kullashi notojke mirë, e s’kish ujë, sado i fellë e i rrept me kanë, qi nuk i rake. Kish ba vaki disa herë napër darsma me i kapërcye krejt krushqit përtej Moravës, ja përtej Lepencit t’rrëmyeshëm, se kualt qerë nuk guxojshin m’i ra ujit. T’ngamen e kish nazeli, “rahovan”, tuj shkue kryq e tërthur, si n’tri kamë, po nat qeshit, qi ati qi i hypke, mos me ja derdhë as kafen. Mirëpo, ajo qi ja çoj larg zanin kti kali, ish aftsia e tij që t’i hetojë heret dhe t’u shmangej pritave e pusive qi ja kurdisshin hasmit Zeqë Vërbanit, e ma s’shumti n’kohën e zgjedhjeve. Sifatet (vetitë) e mira t’Kullashit i livdojke edhe vetë Zeqë Vërbani, tuj thanë para tanve se kali i vet shum herë ja kish pshtue kryet. Mirëpo, vetëm ni herë kish ba vaki qi Zeqa e Kullashi i tij nuk ishin marrë vesh nërmjet veti.

N’aksham, tuj u kthye fillkalli vetum prej Sllatinës s’Epërme, ngat Zabelit t’Beqir Sodovinës, Kullashi nisi me tërfllu me hunë, e dojke m’i dhan isharet t’zotit se dikush ja ka vnu’priten, e kurqysh nuk kish pas dashtë me hec n’at drejtim. Zeqë Vërbani niherë kish pas ngue për me hjekë dyshimin, i kish pas shkrepë dy fishekë alltie n’drejtim qi Kullashi nuk dashke me hecë. Mirëpo, kto krisma Kullashin e kishin pas trem edhe ma tepër, e me kokfortësi e kish pas nrrue drejtimin, e n’ven se me shkue kah Vërbani, aj, “e merr frenin n’gojë” e shkon kah Komogllava, e ja msyn odës së Mulla Hetemit(5), t’Mhallës Llugoviqe. Masi e gjan kapixhikun çelë, hin drejt n’ahër, ku e kish pas shumë her konakun e ku i kishin qitë sanë e taxhi. Zeqë Vërbani, menxi ish kanë përbirue nëpër kapixhik, tue ju veshë kalit rreth qafës, e nxjerr alltinë dhe don me vra kalin kryefortë e t’pangushëm. Mirëpo, nuk e len i biri i Mulla Hetemit, Dauti, i cili e kish pas përcjellë kët ykdyl t’rrezikshëm, pa naj zarar.

-Jo, Aga Zeqë, mos e myt kalin, se ky vetë e din pse s’ka pranue me hi n’at vakt napër zabel, e ktu ka ardhë me besë – i tha Dauti.

Masi qetësohet Zeqa, han darkë e bajnë muhabet, si miq t’moçëm. Dauti, manej, e shalon edhe kalin e vet, e mysafirin e përcjell shnosh e mirë teri n’Vërban.

Treguan: Sadri Arifi, nga Komogllava dhe Ilaz Cara, nga Vërbani



KUSH DESHTI ME E KTHYE TRENIN PËR VËRBAN?

Në gjelltoren e Januzit t'dajës Rexhë n'Gjilan, shpesh u kthejshin kryetarët e atëhershëm shqiptarë t'komunave t'Moravës, e kaniherë me ta shkojke edhe deputeti i rrethit, Tomë Popoviqi. Kështu, niherë aty u gjetën: Jakup Karaçeva, Feriz Llashtica, Sejdë Budrika, Sinan Staneci, Shaban Haliti nga Pozherani, Sali Fejza i Hogoshtit, Zeqë Vërbani, e disa qerë. Toma, tue u mahitë i drejtohet Zeqë Vërbanit e i thot me kallxue qysh ka dashtë me e kthye trenin e Ferizajt për Vërban. Ky niherë nuk deshti me kallxue.
- Lë Allahile, se për kët punë kam kallxue shumë herë - i tha Zeqa Tomës.
- Jo, jo! Kallxo, se Jonuzi nuk ka ni për kët vaki - ngulte kamë Toma.
Ma në fund, Zeqë Vërbani, të cilit i kish hije fjala e muhabeti, kallxon se qysh kanë shkue te mreti Aleksandër, e kur i kish pas vetë me ren shqiptarët e Moravës prej cilave vende janë, ju kish pas drejtue edhe Zeqë Vërbanit, tuj thanë se asht pranue projekti i hekurudhës Ferizaj - Gjilan - Bujanoc, e ka me kapërcye nëpër Vërbanin e tij. Ky u kish pas besue fjalëve t'mretit, e për qata kish pas dashtë me kthye trenin për Vërban, more koftë edhe nëpër ara me kollomoç.

Tregoi: Vehbi Rexhepi, vëlla i Jonuzit nga Gjilani. Jetoi në Prishtinë deri në vitin 1997



LE TË DIHET SE KUSH ASHT KUSHERINI I ZEQË VËRBANIT

Zylfi Zharku i Vërbanit niher i kish pas tubue do pare e ish kanë nisë për me ba aheng n'kafen "Bojalihan" t'Shkupit me dy jarana t'vet. Si sebep për ket punë ish lajmi se katunari i tij, Zeqë Vërbani, e kish fitue shumicën e votave për kryetar komune n'Sllatinë t'Epërme. Masi i kishin çue disa gota, Zylfia kish urdhnue me e mshel kafen për ni kohë, tue pague vetë krejt harxhimin me arsyetim: "Le t'dihet se kush a kusherini i Zeqë Vërbanit!"

Tregoi: Vehbi Rexhepi, fotograf nga Prishtina



I YTI TA HAN MISHIN - PO TA RUEN KOCIN

N'kohën e zgjedhjeve për kryetar komune, Velko Petroviqi, kolonist pej Gërmove, u thojke zgjedhësve shqiptarë: - Mos votoni për Zeqë Vërbanin, se aj a i pashkollë e nuk e do pushteti; se aj kurrgja nuk munet me ju nimue. Masanej, n'baftë me fitue Zeqa, ka me jav hangër mishin me punë angarie e me zullume qera.

Kur Zeqë Vërbani merr vesh, ju thot zgjedhësve: "I yti, mishin ta han, po kocin ta run!. E Velk Petroviqi shiptarve nuk jav len as mishin as kocin."

Tregoi: Mehmet Hasani(6), nga Sodovina e Çerkezëve



MATUFI PLAK, APET M'I KE LUEJT KUJAT

Disa katunarë pej Strezovcit t'Kamenicës ishin kanë pas zanë për do megja. Për me i nreqë, i kishin pas thirrë burrat e fiseve. Nër ta e kishin pasë thirrë edhe Zeqë Vërbanin e Moravës Epërme. Ata kishin pas shkue shumë herë për m'i pajtue kto rragja. Tuj i marr "napër liq" kto punë, u mur vesh se edhe hoxha i katunit ish kanë pas përzie n'at mosmarrëveshje. Zeqë Vërbani, i idhnuem e kap hoxhën për mjekrre e i thotë: - Matufi plak, apet m'i ke luejt kujat!

Tregoi: Hamdi Ibishi, 70 vjeçar, nga Strezovci
Shënoi: Tahir Z.Berisha



DORASIT DUHET T'I DJEGET EDHE KOTECI I PULAVE

Në pajtimin e gjaqeve dhe të ngatrresave të ndryshme, Zeqë Vërbani o kanë i drejt, kambngulës dhe shumë i rrept. Kshtu nji herë kur njani nga Morava e Poshtme i vrau dy të afërm pa pik faji, Zeqë Vërbani me kambngulje lypi që vrasësi të leçitet nga katundi dhe t'i gjeget shpia, t'ue thon se belaxhisë duhet t'i gjeget edhe koteci i pulave që mos t'i bie nër men ma me ba keq.

Tregoi: Sylë Dajkovci, 84 vjeçar nga Dajkovci i Kamenicës
Shënoi: Tahir Z.Berisha



PA E PA T'KEQEN, NUK JA DIN KIMETIN T'MIRËS

Për vakt t'vet Zeqë Vërbani ish kanë boll përparimtar. Kshtu, shpesh herë i thojke t'shoqes, Mihanes, që masi t'i kryejn punt e shpisë, t'vishen si u ka hije, e bashk me rejat e mesat e veta të dalin me kërkue napër kojshi e akraba, se: "N'koftë se nuk shihni ma keq se n'shpi, do t'ja dini kimetin ma shumë asaj qi e keni; n'koftë se shihni ma mirë, do ta msoni naj marifet ma t'mirë".

Tregoi: Taibe Berisha(7), 87 vjeçare
Shënoi: Mujë Berisha, i biri



THMIJA DUHET ME NEJT EDHE N'ODË T'BURRAVE

Adem Halili i Trestenikut dhe Rexhë Kurdija i Komogllavës, shpesh ishin mysafirë n'odën e Zeqë Vërbanit. Te dy kta burra kishin menime t'njëjta për punë t'nryshme me t'zotin e shpisë. Mirëpo, kur u çelke muhabeti për politikë, ose për naj ngjarje me ransi, ata thojshin se thmija duhet me u largue prej ode. Zeqë Vërbani menojke se ata duhet me nejtë n'odë edhe kur zihet muhabet për punë t'mdhaja. - Thmija duhet me nejt n'odë e duhet me ngue se shka flasin burrat, se kshtu ata msojnë shumë sene dhe me kohë aftësohen me da t'mirën e t'keqen - thojke Zeqë Vërbani.

Tregoi: Emin Misini, nga Sodovina e Jerlive
Shënoi: Tahir Z.Berisha



MOS I QIT POREZ PËR KRYE, SE AJ KRYE S'KA

Zeqë Vërbani, masi ish kanë kthye prej majes Lybetenit, ku kish pas shkue me shokë ditën e midisit verës (aligjynit), kish pas thanë:
- Çaj qi shkon për s'dyti her n'kamë n'maje t'Lybetenit, unë me kanë hyqmet, atina nuk i kishna qitë porez për krye njeri, se ai krye nuk ka.

Tregoi: Jetish Vishi, mësues veteran nga Vërbani
Shënoi: Dr. Mehmet Halimi, punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës



RRËFEJZA

KTO KATUNE JANË BUKË E GATUNE

Zeqë Vërbani e unë shkuem n'Tiranë te ministri i punve t'mrenshme(8) me e lutë ministrin me na nimue me nrrue kufinin, e Vërbanin e katër katune qera m'i qitë me Shypni, e ministri na tha:
- E more vllazën, na jemi tue punue e tue u munue qi krejt popullin shqiptar me e shlirue prej bullgarit, e jo veç pesë katune.
- Ju faleminerit zotni, për munimin e juve për me e shlirue krejt Kosovën, po neve po na dhimen edhe kto pak katune, se janë bukë e gatune dhe e pjekun hazër e me naj hangër qetër kush veç për zot, po na vjen inati e po na dhimen e për çatta kena ardhë te Ju qi t'na nimoni t'i nxerrim e t'i pshtojmë pi thojve t'bugarit - si n'flakë t'pushkës i tha Zeqë Vërbani ministrit, se Zeqa a kanë burrë i zoti e i gojës.

Tregoi: Jetish Vishi, mësues veteran nga Vërbani
Shënoi: Dr. Mehmet Halimi



MËSUESIN E KAM ME VETI

Masi u siguruem se Vërbani do të shkoj me Shypni, bashkë me Agën Zeqë shkuem te ministri i arsimit me lypë me çelë shkollën shype n'Vërban.
- Kena ardhë te Ju zotni, me ju lutë me na dhanë leje për me çelë shkollën shype n'Vërban - i tha Zeqë Vërbani ministrit t'arsimit.(9)
- E more vllazën, kërkesën për hapjen e shkollës qi po e paraqitni ju për pes katune, e kanë paraqit edhe 50 katune tjera t'Kosovës, por fatkeqësisht nuk kemi mësues me hapë shkolla shipe n'çdo katun t'Kosovës. Ku t'i marrim kuadrat? - na tha ministri.
- Sa për msues zotni, unë msuesin e kam me veti. Qe ky zotnija me mue asht msues - i tha Zeqa tue ba me dorë kah unë.
- Ashtu?! - pyeti i habitun ministri. Mandej nga fijoka e tavolinës e nxori nji letër t'bardhë e m'tha: - Unë po të diktoj, e ti shkruej!
- Unë e shkrova lutjen ashtu siç m'diktoj ministri dhe në fund e nënshkrova.
- Shumë bukur e paske shkrue, zbrit poshtë dhe bleje nji pullë prej tre lekësh! - më tha ministri. Unë zbrita shpejt e shpejt, e bleva pullën, ia ngjita lutjes dhe ia dorëzova ministrit.
- Shumë bukur! Tash mund të shkoni zotni. Kti zotnisë mas ni jave ia dërgoj dekretin për mësues në Vërban - i tha ministri Zeqë Vërbanit.
- Masi u kthyem me Agën Zeqë prej Shypnije, tepër t'gzueshëm qi Vërbani po kalon me Shypni edhe shkollën p'e çelim n'gjuhën shype, unë mas ni jave shkova n'Prishtinë.
- Ku je, o Jetish Vishi? Ty t'ka ardhë dekreti për msues n'Vërban, po Vërbani a s'asht nër bugar?! - më pyeti Selami Hallaçi(10) me habi.
- Po, zotni Selami, momentalisht asht nër bugar, po shpejt do t'kalojë me Shypni edhe do ta çelim shkollën shqipe n'Vërban - ja ktheva unë.

Tregoi: Jetish Vishi, mësues i parë i shkollës shqipe në Vërban
Shënoi: Dr. Mehmet Halimi


[Mujë S. Berisha:“Zeqë Vërbani dhe koha e tij”, Prishtinë, 1997, fq.123]
____________________
(1) Këtë dhe nëntë anekdotat e tjera, janë marrë nga libri i Tahir Z.Berishës, "Trojet që nuk shuhen".
(2) Për një rast të ngjashëm, në një fshat tjetër të Anamoravës dhe për qëndrimin e Zeqë Vërbanit lidhur me flakjen e zakonit të qitjes së tepsisë para krushqve, tregoi edhe veterani i arsimit, Sabit Rexhepi nga Ramjani i Vitisë.
(3) Mbiemri familjar i Zeqë Vërbanit ishte - Sokoli (Zeqë Sokoli).
(4) Për këtë rast ka treguar shumë herë Hamdi Kurteshi (1882 - 1970), nga Pozherani. Këtë anekdotë ia kishte treguar Dalip Ukës nga Prishtina edhe Rrahim Bajram Kosovalia nga Stambolli, kur në shtatorin e vitit 1991 ishte mysafir në Prishtinë, ashtu siç ia kishte treguar axha i tij Sefë Drobeshi (Viti), i cili u shpërngul për Turqi në vitin 1957.
(5) Oda e Mulla Hetemit gjithmonë ka qenë vendtakim i shumë krerëve dhe udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Siç tregoi Sadri Arifi, 80-vjeçar, aty gjatë viteve 1908 – 1912, qëndruan me javë të tëra: Bajram Curri, Riza beg Gjakova dhe udhëheqës të Anamoravës. Edhe sot në derë të kësaj ode ekzistojnë dy vrima plumbash, që i kishte shkrepur Bajram Curri, duke u mahitur: “Le të dihet se këtu ka ndejtur Bajram Curri!”. Mulla Hetemin, patriot i shquar, e vranë bullgarët në vitin 1917. Edhe sot varri i tij gjendet në arën e një kolonisti afër “Pumpës”. I biri i tij Dauti, ka lanë amanet të bijve që eshtrat e gjyshit, në një rast të volitshëm, t’i nxjerrin nga ai vend dhe t’i rivarrosin në varrezat e Komogllavës.
(6) Anekdotën e ritregoi Ramadan Hasani, i biri i Mehmetit. E shënoi Tahir Z.Berisha, më 25.IX.1993
(7) Taibe Berisha (1910 - 1996), ishte reja e dytë e Zeqë Vërbanit, nga familja e Alidemëve të Pozheranit.
(8) Në atë kohë, më 1943, ministër i punëve të brendshme në Shqipëri ishte zotëri Kolë Bib Mirakaj.
(9) Ministër i Arsimit më 1943 në Shqipëri ishte z.Ahmet Duhanxhiu.
(10) Selami Hallaçi, më 1943 ishte sekretar i Inspektorisë së Arsimit në Prishtinë.

No comments: